blog - shqip

« Späť

Udha e kryqit sipas Markut

Pas një pushim të dëtyruar ofroj meditimin mbi vuajtjen e Jezusit me shikimin e shen Markut.

Hyrje

Prapë qëndrojmë para teje, o Zot, për të menduar mbi vuajtjen tënde tëpësuar për ne. Duam t’i përjetojmë këto momente me dhimbje të madhe për mëkatet tona, sepse janë ato, që edhe sot të gozhdojnë në kryq. Duam të bashkohemi me vuajtjen tënde në shpresë të mëshirës sate të pakufishme.

I. Sinedri vendos vdekjen e Jezusit

Krerët e priftërinjve dhe skribët kërkonin mënyrën se si ta kapnin Jezusin me mashtrim dhe ta vrisnin. Por thonin: "Jo gjatë festës, që të mos ndodhë ndonjë trazirë nga populli." Atëherë Juda Iskarioti, një nga të dymbëdhjetët, shkoi te krerët e priftërinjve, që t'ua dorëzonte Jezusin. (14,1b-2.10)

Nuk është hera e parë, që pleqt e popullit kanë bërë kuvendin për ta vrarë Jezusin. E dinin mirë, se është profet, por nuk e besonin. U tha, se erdhi prej Hyjit dhe e përbuznin. E tani edhe miku i tij e shet për çmimin e skllavit...

O Zot, na ndihmo, që të pranojmë dhe të jetojmë fjalën tënde dhe na e jep hirin, që mos të tradhtojmë kurrë.

II. Themelimi i Eukaristisë

Ndërsa po hanin, Jezusi mori bukën, e bekoi, e theu dhe ua dha atyre duke thënë: "Merrni, hani; ky është trupi im." Pastaj mori gotën, e falënderoi, ua dha atyre dhe u tha: "Ky është gjaku im, gjaku i besëlidhjes së re, që derdhet për shumë veta." (krh. 14,22-24)

Nuk ekzistojnë fjalët njerëzore, që mund ta përshkruajnë këtë dashuri. Mesha e shenjtë e parë, në të cilën Jezusi vendosi të jetë gjithmonë me ne.

O Zot, transformoji zemrat tona, që të dimë ta çmojmë këtë dhuratë të paçmueshme.

III. Parakallëzimi i mohimit të Pjetrit

Jezusi i tha Pjetrit: “Unë po të them në të vërtetë se sot, pikërisht në këtë natë, para se gjeli të këndojë dy herë, ti do të më mohosh tri herë.” Por ai, duke ngulur këmbë më tepër, thoshte: “Edhe sikur të më duhet të vdes me ty, nuk do të të mohoj kurrë”. (14,30-31a)

Sa herë sillemi si Pjetri. “Jo, unë jo... Edhe nëse të gjithë kanë faj, unë jo!” dhe harrojmë, se mendjemadhësinë e ndjek rënia. Sa më shumë krenohemi, aq më thellë rrëzohemi...

O Zot, na e shto përvujtërinë, që të pranojmë realitetin e ligështisë sonë dhe kështu të përgatitemi për ta pranuar ndihmën tënde.

IV. Lutja në Gjetsemani

Mori me vete Pjetrin, Jakobin dhe Gjonin, dhe filloi ta zërë frika dhe ankthi;dhe u tha atyre: “Shpirti im është thellësisht i trishtuar, deri në vdekje; qëndroni këtu dhe rrini zgjuar.” Dhe, si shkoi pak përpara, ra përmbys përtokë dhe lutej që, po të ishte e mundur, të largohej prej tij ajo orë. Pastaj u kthye mbrapa, i gjeti dishepujt duke fjetur dhe i tha Pjetrit: “Simon, po fle? S’ke qenë i zoti të rrish zgjuar një orë të vetme? Rrini zgjuar dhe lutuni që të mos hyni në tundim; sigurisht shpirti është i gatshëm, por trupi është i ligshtë.” (14,33n.37n)

Tre apostujtë më të afërt të Jezusit nuk ishin të aftë që të bashkoheshin me të në vuajtje. Lodhja ishte më e fortë, se premtimi i bërë pak më parë.

O Zot, na mëso, se vetëm duke u bashkuar me vuajtjen tënde mund ta fitojmë forcën për t’i përballuar vështirsitë e jetës; se në lutjen tënde në vetmi e gjejmë kuptimin e vuajtjes dhe forcën në lodhje.

V. Ushtarët e kapin Jezusin

Ai që po e tradhtonte u kishte dhënë atyre një shenjë: “Kë do të puth, ai është. Kapeni dhe çojeni me shoqërim të sigurt.” Dhe si arriti, u afrua menjëherë tek ai dhe tha: “Rabbi” dhe e puthi. Atëherë ata vunë dorë mbi të dhe e arrestuan. Jezusi u tha: “Paskeni ardhur me shpata e me shkopinj që të më kapni sikurse të isha një cub! E pra, përditë isha midis jush në tempull duke i mësuar njerëzit dhe ju nuk më kapët; por kjo po ndodh që të përmbushen Shkrimet!” (14,44-46.48b-49)

Tradhtia është si nata. E zezë dhe plot me frikë për të vepruar botërisht. Në të njeriu e humb fytyrën e vet dhe nga tmerri armatoset kundër së vërtetës.

O Zot, na ço në dritën e së vërtetës sate, që duke e jetuar mos ta humbasim fytyrën tonë dhe që mos të kemi kurrë frikë të të dëshmojmë botërisht.

VI. Jezusi para Pilatit

Krerët e priftërinjve e nxitën turmën që të kërkojë që t’u lironte atyre Barabanë. Pilati e mori përsëri fjalën dhe u tha atyre: “Çfarë doni, pra, të bëj me atë që ju e quani mbret të Judenjve?” Dhe ata bërtitën përsëri: “Kryqëzoje!” Dhe Pilati u tha atyre: “Po ç’të keqe ka bërë?” Atëherë ata bërtitën edhe më fort: “Kryqëzoje!” Prandaj Pilati, duke dashur ta kënaqë turmën, ua lëshoi Barabanë. Dhe, mbasi e frushkulloi Jezusin, ua dorëzoi atyre që të kryqëzohej.(15,11-15)

Turma e nxituar nuk dëshiron argumente. Por do gjakun. Pa mend. Si ujqit, që e ndiejnë erën e gjakut të qengjit dhe e sulmojnë.

Mos lejo, o Zot, që të gjykojmë njerëzit nga dukja ose nga shikimi i parë. Na e jep dritën e mëshirës sate, që, të nxituar nga drejtësia, ta kërkojmë faljen dhe pajtimin.

VII. Ushtarët e përqeshin Jezisun

E veshën në purpur dhe, si thurën një kurorë me ferra, ia vunë mbi krye. Pastaj nisën ta përshëndesin duke i thënë: “Të falemi, o mbret i Judenjve!” Dhe e goditnin në krye me një kallam, e pështynin dhe, duke u gjunjëzuar përpara tij, kinse e nderonin. (krh. 15,17-19)

Më parë turma dhe tani ushtarët janë ata, të cilët lëshojnë frenën e epshëve të ulta. Nuk dyshojnë ta përqeshin atë, që vuan, të pambrojturin e dënuar për vdekje.

O Zot, na ndihmo, që mos ta përqeshim kurrë të vuajturin, të sëmurin, skamnorin, duke kujtuar, se ti vet je i pranishëm në ta.

VIII. Simon prej Cirenës e ndihmon Jezusin me kryqin

Ushtarët e detyruan një kalimtar, një farë Simoni nga Cirena që kthehej nga ara, babai i Aleksandrit dhe i Rufit, që ta mbante kryqin e tij.

Simon i detyrua merr mbi vete kryqin dhe e ndihmon Jezusin ndoshta pa e ditur, se kush është.

O Zot, na i hap sytë tanë, që të të shohim ty në çdo njeri për t’i mbartur kryqet e njëri-tjetrit duke plotësuar kështu ligjin tënd të dashurisë.

IX. Jezusin e gozhdojnë në kryq

Kur e çuan Jezusin në vendin të quajtur Golgota, që do të thotë: “Vendi i Kafkës”, i dhanë të pijë verë të përzier me mirrë, por ai nuk e mori. Dhe, pasi e kryqëzuan, i ndanë rrobat e tij duke hedhur short, për të ditur çfarë do t’i binte secilit. (15,22-24)

Kryqëzimi ishte mënyra më e tmerrshme e dënimit për vdekje e asaj kohe e rezervuar vetëm për skllevërit. Jezusi, i tradhtuar dhe i shitur për çmimin e skllavit duke iu bindur vullnetit të Atit e pranon vdekjen e të përbuzurit.

O Zot, ti vet the, se ushqimi yt është ta plotësosh vullnetin e Atit. Prej këtij ushqimi ke jetuar, me këtë ushqim je ngopur. Na dhuro hirin tënd, që vullneti i Atit të bëhet ushqimi i përditshëm edhe për ne.

X. Jezusi në kryq në mesin e cubave

Bashkë me Jezusin kryqëzuan edhe dy cuba, njërin në të djathtën e tij dhe tjetrin në të majtën e tij. (15,27)

Në lindjen e tij kishte pranë mushkun dhe gomarin. Tani i ka afër dy cuba. Që më herët armiqtë e tij e quanin “mik i tagrambledhësve dhe i mëkatarëve.” Si i tillë, në shoqërinë e tyre, edhe po vdes.

O Zot, na mbush zemrën me një falenderim të vazhdueshëm për faktin, se je miku ynë, se vdiqe për ne, për të na dhënë jetën.

XI. Jezusin e kryqëzuar e tallin

Ata që kalonin aty afër e fyenin, duke tundur kokën, dhe duke thënë: “Hej, ti që e shkatërron tempullin dhe e rindërton në tre ditë, shpëto veten tënde dhe zbrit nga kryqi!” Po ashtu edhe krerët e priftërinjve me skribët, duke e tallur, i thoshnin njeri tjetrit: “Të tjerët i shpëtoi, por veten s’mund ta shpëtojë. Krishti, mbreti i Izraelit, le të zbresë tani nga kryqi që ta shohim dhe ta besojmë.” Edhe ata që ishin kryqëzuar bashkë me të, e fyenin atë. (15,29-32)

Prej kryqit nuk zbritet. As në mes të talljeve, as në mes të fyerjeve. Prej kryqit të pranuar nga dora e Atit nuk zbritet. Në të vdeset.

O Zot, na ndihmo t’i pranojmë të gjitha përqeshjet, talljet dhe fyerjet duke i bashkuar me vuajtjen tënde, që të mund të kuptojmë, se kryqi yt është nderi ynë.

XII. Jezusi vdes

Në të nëntën orë Jezusi bërtiti me zë të lartë: “Eloi, Eloi; lama sabaktani?” që e përkthyer do të thotë: “ Hyji im, Hyji im, përse më ke braktisur?” Dhe disa nga të pranishmit, kur e dëgjuan, thoshin: “Ja, ai po thërret Elinë!” Atëherë një prej tyre erdhi me vrap, e zhyti një shpuzë në uthull dhe, mbasi e vuri në një kallam, ia dha të pijë, duke thënë: “Lëreni; të shohim nëse vjen Elia që ta zbresë poshtë.” Por Jezusi, si lëshoi një britmë të madhe, dha shpirt.(15,34-37)

Disa njerëz deri tani nuk kuptuan dhe as tani nuk e kuptojnë fjalën e Jezusit. Ajo, që frikson, është fakti, se këta janë të bindur, se e kuptojnë, se e njohin, se e dinë...

O Zot, na ndihmo që jo vetëm t’i dëgjojmë fjalët e tua, por që nën ndikimin e hirit tënd edhe ti kuptojmë për t’i zbatuar.

XIII. Shenjat pas vdekjes së Jezusit

Atëherë veli i tempullit u ça më dysh nga maja deri në fund. Dhe centurioni që qëndronte përballë Jezusit, kur pa se, pasi Jezusi bërtiti ashtu, kishte dhënë shpirt, tha: “Ky njeri paska qenë me të vërtetë Biri i Hyjit!” (15,38-39)

Veli i tempullit që i mbajti të fshehta misteret e Hyjit u hap. Gjithçka është zbuluar, gjithçka është e qartë për atë, që dëshiron ta pranojë. Edhe centurioni pagan, i cili nuk e njohi Hyjin bëhet dëshmitari i tij.

O Zot, na e dhuro Shpirtin tënd, që në çdo ditë të jetës sonë t’i pranojmë dhe t’i adhurojmë misteret e zbuluara nga kryqi yt.

XIV. Jezusin e varrosin

Pastaj, u afrua tashmë mbrëmja, sepse ishte Përgatitja, domethënë vigjilja e së shtunës, Jozefi nga Arimatea, një këshilltar i respektuar, i cili priste edhe ai mbretërinë e Hyjit, me guxim hyri te Pilati dhe kërkoi trupin e Jezusit. Dhe Pilati u çudit që tashmë kishte vdekur. E thirri centurionin dhe e pyeti nëse kishte vdekur prej shumë kohe. Dhe si u sigurua nga centurioni, ia la trupin Jozefit. Ky, mbasi bleu një çarçaf, e zbriti Jezusin nga kryqi, e mbështolli në çarçaf dhe e vuri në një varr që ishte hapur në shkëmb; pastaj rrokullisi një gur para hyrjes së varrit. (15,42-46)

Mëshira e fundit, të cilën Jozefi së bashku me disa të tjerë tregoi ndaj trupit të vdekur është shenjë e pritjes së ngjalljes në lavdi. Kur mbyllet varri, është sikur një kokërr, që mbillet në tokë për t’a pritur jetën e re.

O Zot, me anën e varrit tënd na përforco shpresën e ngjalljes së trupit tonë të vdekshëm.

Përfundimi

Na e jep, o Zot, hirin tënd, që duke u bashkuar me vuajtjen e kryqin tënd të rritemi gjithnjë e më shumë në dashurinë ndaj teje dhe ndaj vëllezërve që duke dashur çdo ditë më shumë, të arrijmë bashk me ty në jetën e re në mbretërinë e Atit tënd.

Komentáre
Prihláste sa pre pridanie komentára
neviem po albansky ani ň ale predpokladam ze ide o krizovu cestu. :-)
Odoslané 23.3.2012 23:03.
Odoslané 24.3.2012 8:50 ako reakcia na Veronika Florkova.