Sot flasim për kremtimin liturgjik të Eukaristisë së shenjtë - për kremtimin në ecurinë e shekujve dhe për zhvillimin e sotshëm.
Mesha në ecurinë e shekujve
Që prej shekullit të dytë kemi dëshminë e shën Justinit martir mbi linjat kryesore të rendit të kremtimit të Eukaristisë. Deri më sot janë të njëjta në të gjitha familjet liturgjike. Justini rreth vitit 155 cezarit Antonius Pius shkruan kështu për t’i shpjeguar se çfarë bëjnë të krishterët:
Në ditën e quajtur ditë e Dielit të gjithë, qoftë banorë të qytetit qoftë të fshatrave, takohen në të njëjtin vend. Lexohen kujtimet e apostujve ose shkrimet e profetëve derisa lejon koha. Kur lexuesi mbaron, udhëheqësi në ligjeratë qorton dhe nxit për të ndjekur keto gjëra kaq të shkëlqyeshme. Pastaj të gjithë ngritemi në këmbë dhe lutemi për vetvetën..., dhe për të gjithë të tjerët, kudo të jenë..., që të jemi të gjetur si ata, që me vepra jetojnë jetën e drejtë dhe i ruajnë urdhërimet, që kështu të fitojmë shëlbimin e amshuar. Kur mbarojmë lutjen, përshëndetemi me puthje. Pastaj atij, që udhëheq vëllëzerit, i sjellin bukën dhe kelkun e ujit dhe të verës. Ai i pranon dhe lartëson lavdinë dhe lavdërimin Atit të gjithësisë nëpër emrin e Birit e të Shpirtit Shenjt dhe zhvillon falënderimin e gjatë (greqisht eucharistia) për faktin, se na bëri të denjë për këto dhurata. Kur mbaron lutjet dhe falenderimi, i gjithë populli i pranishëm brohorit me entuziazëm Amen. Kur udhëheqësi mbaron falënderimin dhe të gjithë kanë brohoritur, ata, që mes nesh quhen diakonët, u ndajnë të gjithë të pranishmëve bukën, verën dhe ujin, që ishin “të eukaristizuara”, dhe i sjellin të papranishmëve.
Liturgjia e Eukaristisë vazhdon sipas strukturës themelore, e cila është ruajtur në ecurinë e shekujve në të gjitha familje liturgjike (janë mbi 25) deri në ditët tona. Zhvillohet në dy momente kryesore, të cilat në themelim krijojnë njësinë:
- bashkimi, liturgjia e fjalës me leximet, predikimin dhe lutjen e besimtarëve;
- liturgjia eukaristike me paraqitje të bukës dhe të verës, falenderimin shugurues dhe kungimin.
Liturgjia e fjalës dhe eukaristike krijojnë së bashku një veprimtari të vetme të kultit. Tryeza e përgatitur për ne në Eukaristi është njëkohësisht tryeza e fjalës së Hyjit dhe tryeza e Trupit të Krishtit.
Është tamam sipas ecurisë së darkës së Jezusit të ngjallur me nxënësit e tij. Gjatë rrugës u shpjegoi Shkrimet dhe kur pastaj u ul me ta në tryezë, “mori bukën u falënderua, e theu dhe ua dha” (Lk 24,13-35).
Zhvillimi i kremtimit
Të gjithë mblidhen. Të krishterët takohen në të njëjtin vend për bashkimin eukaristik. Udhëheqësi kryesor është vetë Jezu Krishti. Ai është kryeprifti i Besëlidhjes së re dhe në mënyrë të padukshme kryeson çdo kremtim eukaristik. Ipeshkvi ose prifti për arsye se e përfaqëson Krishtin, (duke vepruar në personin e Krishtit Krye – in persona Christi Capitis agens) udhëheq bashkësinë, pas leximeve ai predikon, pranon dhuratat dhe shqipton lutjen eukaristike. Të gjithë marrin pjesë gjallërisht, dhe secili në mënyrën e vet.
Liturgjia e fjalës përmban shkrimet e profetëve – Besëlidhjen e vjetër dhe kujtimet e apostujve – letrat dhe ungjijtë. Pas predikimit, i cili fton që kjo fjalë të pranohet “siç më të vërtetë është – si fjalë të Hyjit” (1Sel 2,13) për ta jetuar, ndiqen lutjet e besimtarëve për të gjithë njerëzit sipas fjalës së vet Apostullit kur thotë: “Të bëj thirrje, pra, para së gjithash, që të bëhen përgjërime, lutje, ndërhyrje dhe falënderime për të gjithë njerëzit, për mbretërit e për të gjithë ata që janë në pushtet” (1Tim 2,1-2).
Paraqitja e dhuratave (lat. ofertorium). Pastaj sillen (nganjëherë në procesion) në lter dhuratat – bukë dhe verë, të cilat prifti do t’i kushtojë në emër të Krishtit në flinë eukaristike, në të cilën do të bëhen Trupi dhe Gjaku i Krishtit. Është i njëjti veprim, të cilin veproi Krishti në Darkën e fundit, kur “mori bukën dhe kelkun.” “Vetëm Kisha i sjell Krijuesit këtë fli të pastër, kur ia flijon me falenderimin prej krijimit të tij” (sh. Ireneu i Lyonit). Paraqitja e dhuratave në lter kujton hyrjen e Krishtit në Jerusalem një javë para vdekjes së tij dhe e merr veprimin e Melkizedekut dhe i beson dhuratat e Krijuesit në duar të Krishtit. Ai në flinë e tij i bën të përsosur të gjitha tentativat njerëzore për t’i sjellë flitë.
Të krishterët që prej fillimit bashkë me bukën dhe verën i sjellin edhe dhuratat e tyre për t’i bashkëndarë me të varfër. Ky zakon i të bërit ofertë (latinisht collecta) është aktual edhe sot dhe frymëzohet nga shembulli i Jezu Krishtit “i cili u bë i varfër, që ne të pasurohemi nga ana e varfërisë së tij” (2Kor 8,9).
“Ata, që kanë më shumë dhe duan, japin, secili sipas mendimit të vet, aq sa kanë vendosur. Këto depozitohen tek udhëheqësi dhe ai ndihmon jetimet dhe të vejat ,ata që prej semundje ose prej një arsye tjetër gjenden në nëvojë. Edhe për të burgosurit e ardhacakët, me një fjalë të vetme për të gjithë nevojtarët” (sh. Justini)
Lutja eukaristike (gr. αναφορα /anafora/ -dhurata e flijimit). Është lutja e falënderimit dhe e shugurimit që qëndron në zemër të kremtimit eukaristik dhe është kulmi i tij:
Prefacioni (prefatio - lat. parathënie). Kisha falenderon Atin nëpër Krishtin në Shpirtin Shenjt për të gjitha veprimet e tija, për krijimin, shëlbimin dhe shenjtërimin. Është këngë, në të cilën shpjegohet teologjia e ditës. Këtu e gjithë bashkësia bashkohet në lavdinë e pandërprerë të cilën Kisha qiellore, engjëjt dhe të gjithë shenjtërit i këndojnë Hyjit tre herë të shenjt.
Epikleza (gr. επι /epi/ - mbi; καλω /kalo/ - thërras). Kisha lut Atin, që ta dërgojë Shpirtin Shenjt (ose fuqinë e bekimit të tij) mbi bukë dhe verë, që më fuqinë e tij të bëhen Trupi e Gjaku i Jezu Krishtit dhe që ata, që marrin pjesë në Eukaristi të jenë një trup e një shiprt i vetëm. Disa tradita liturgjike e kanë epiklezën pas anamnezës.
Përshkrimi i themelimit të Eukaristisë është çasti në të cilin fuqia e fjalëve dhe e veprimit të Jezu Krishtit dhe fuqia e Shpirtit Shenjt sakramentalisht bëjnë të pranishëm nën mënyrë të bukës dhe të verës Trupin e Gjakun e Krishtit, flinë e tij të sjellë një herë e përgjithëmonë mbi kryq.
Në anamnezë (gr. αναμνησις- përkujtim), e cila ndjek, Kisha përkujton mundimin, ngjalljen dhe kthimin e lavdishëm të Jezu Krishtit – i paraqet Atit flinë e Birit të tij, i cili na pajton me atë.
Në ndërmjetësim (lat. intercessiones) Kisha shpreh, se Eukaristia kremtohet në bashkësi më mbarë Kishën qiellore dhe tokësore, me Kishën e të gjallëve dhe e të vdekurve dhe në bashkësi me barinjtë e Kishës: me papën, me ipeshkvin dioqezan, me priftërinjtë dhe diakonët e tij dhe me të gjithë ipeshkvinjtë e botës bashkë me kishat e tyre.
Në kungim, para të cilit është Lutja e Zotit dhe thyerja e bukës, besimtarët pranojnë “bukën prej qiellit” dhe “kelkun e shëlbimit”, Trupin dhe Gjakun e Krishtit, i cili dha vetvetën “për jetën e botës” (Gjn 6,51).
Për arsye se kjo bukë dhe kjo verë sipas shprehjes së lashtë ishin “të eukaristizuara”, këtë ushqim e quajmë Eukaristi dhe askush nuk mund të marrë pjesë në të, përveç se ai që beson, se është e vërtetë kjo, dhe që mëson se ishte i pastruar me larje për faljen e mëkateve dhe për rilindje si dhe jeton ashtu, siç na e la Krishti” (sh. Justini).