Fjalët, që profeti Isaia shqipton në emër të Hyjit, që sot janë më aktuale se sa kurrë...
Libri i Isaisë profet ndahet në tri pjesë. Proto-Isaia (kapitujt 1-39) ishte shkruar prej vet Isaisë profet në shekullin e VIII para Krishtit, kurse Deutero-Isaia (kap. 40-55) dhe Trito-Isaia (kap. 56-66) janë shkruar prej një ose prej dy autorëve në kohën e shpërnguljes së Izraelit në Babiloni dhe pas saj si dëftim fjalët e Profetit u realizuan.
Fjalët e leximit të parë i gjejmë në pjesën e dytë të Librit - në "Deutero-Isaia". Kur Izraelitët të shpërngulur në Babiloni filluan të humbasin çdo shpresë si përmirësim të gjendjes së tyre të mjerë. Ishin të vetëdijshëm, se e tradhtuan Hyjin e tyre dhe se ky me të drejtë u zemërua kundër tyre. Ishin në dijeni, se ky zemërim nuk shpërtheu aq për mëkatet e tyre, sa për mosbindjen e tyre ndaj profetëve ti tij, që nxisnin popullin të kthehej kah Zoti Hyj.
Por Hyji është gjithmonë besnik ndaj fjalës së vet. Nuk e braktis popullin e tij, edhe nëse zemërohet. Më të vërtetë, profeti Isaia është i njohur edhe si "ungjilltari i Besëlidhjes së vjetër" dhe fjala e Zotit në gojën e tij dëftohet edhe sot.
Profeti në emër të Zotit thotë shumë qartë, se Izraeli e ka braktisur, se nuk i zbatonte urdhërimet e Hyjit të vet, se nuk e jetonte fenë e dhënë Abrahamit, se zemra e tij ishte larg Zotit. Kishin krijuar zakonet kundër fesë duke respektuar ligje të kombëve të tjera dhe jo ato të Zotit.
Gjithësi, Profeti fton njerëzit: "Mos i kujtoni ngjarjet e shkuara, mos mendoni për çka ka kaluar!" Kjo nuk do të thotë ta harrojnë tërësisht por do të thotë që e kaluara nuk mund t'i pengojë që të afrohen tek Zoti, pra bëhet e qartë se ende ka shpresë që të ripërtërihet ajo marrëdhenie e bukur dhe e përbuzur prej njeriut. Do të thotë se nuk kanë të drejtë të justifikohen me të kaluarën në mënyrë që"gjithmonë ishte kështu." JO! Sepse Zoti vet dërgon tani hirin e vet dhe gërthet: "Po bëj një gjë të re, tani po lind! A s'po e shihni?" E kaluara, pavarësisht se si ishte, me të mira dhe me të këqija, iku. Izraeli duhet t‘i besojë Mëshirës së Zotit, të marr mësim prej saj edhe atje, në shpërngulje larg atdheut duhet të bëj një reflektim të thellë. Vetëm pastaj mund të hyjë prapë në një marrëdhenie të bukur dhe të mahnitshme me Krijuesin e vet, gjë që më vonë do të duket me kthimin në tokën, që Zoti ia dha Izraelit.
Kjo është ajo gjë e re, që Zoti e krijon sot: duke parë, se njeriu e ka braktisur, se shkeli ligjin e vet, Ai vet vendosi të bëjë një gjë të paparë dhe të padëgjuar. Ai vet shkon dhe kërkon ata, që u larguan prej tij. Jo për t'i qortuar prapë për mëkate, por për "nder të emrit" të tij, për ti thënë popullit të vet dhe çdo njeriu: "Të fal, edhe nëse nuk më e ke kërkuar. Të fal, sepse të dua."
Dhe tani nëse kujtojmë: Çfarë ka ndodhur në Shqipërinë tonë, që ndoshta nuk duam të kujtojmë e as të mendojmë më? Të flasim haptas, nuk është më koha e Turkut dhe as koha e Enverit. Është mënyra e mendimit, të cilën duhet të ndrrojmë sot. Jo të veprojmë siç vepruam deri më tani - plot me frikë. "Sepse mendimi i komëshisë, sepse mentaliteti i fshatit, sepse opinioni i familjes..." JO! Mentaliteti krijohet sot në zemrën tënde! Ndërrimi i mentalitetit fillon prej meje dhe prej teje - prej njerëzve të liruar nga Krishti. Prej atyre, që mendojnë dhe veprojnë sipas ligjit të lirisë dhe të dashurisë së Krishtit e jo sipas kanunit ose frikës. Kjo është ajo gjë e re, e padëgjuar, ndoshta shkandulluese, që Hyji bën sot: marrëdhenien personale me Të, e pavarur nga fjalët e njerëzve, e lirë prej mendimit të tjerëve dhe e çliruar nga prangat e traditës, kur shkon kundër Zotit. Jo si një gjë e jashtme, por si diçka, që reflektohet edhe nga jashtë, sepse përpara e ka prekur dhe ndërruar zemrën .
Zoti tani dhe këtu bën diçka të re. Tani po lind. A duam ta shohim? A duam ta shikojmë përpara të liruar nga frika? Krishti sot i shkëput prangat e shpërnguljes sonë. Veç duhet ta pranojmë...