blog - shqip

« Back

Feja, përgjigjja për thirrjen e Hyjit, e cila realizohet në bashkësi

Feja, përgjigjja për thirrjen e Hyjit, e cila realizohet në bashkësi

Disa mendime për Hyjin që thirr dhe për njeriun, i cili i përgjigjet me fenë, e cila është njëkohësisht dhuratë. Dhuratë e pranuar prej bashkësisë së Kishës dhe e dhuruar të tjerëve...

Thirrja e Hyjit

Është pikërisht thirrja e Hyjit që qëndron në fillim të çdo jete njerëzore. Besoj se që tani e dini, se thirrja e parë e Hyjit ndaj njeriut është thirrja ndaj jetës, kur Hyji na thirri në të qenurin, na thirri që të jemi, të ekzistojmë. Një gjë e mahnitshme, me të vërtetë e mrekullueshme, kur Hyji nëpërmjet dashurisë së prindërve na thirri në jetë. Pra, mos ta harrojmë: në fillim të thirrjes sonë ndaj jetës ishte dashuria – dashuria e Hyjit dhe e prindërve. Këtë dashuri do ta kemi gjithmonë si pikën e riferimit, edhe nëse ndoshta nuk do të flasim për të drejtpërdrejt.

Pas kësaj thirrje ndaj jetës vjen thirrja e dytë – thirrja ndaj jetës së krishterë. Pasi që dikush i ka themele të forta njerëzore, mund të fillojë të ndërtojë mbi to krishtërimin, si përgjigjen Hyjit e themeluar në mahnitje prej mirësisë së Hyjit, i cili thirri njeriun nga asgjëje në të qenuri.

Vetëm kur njeriu iu përgjigj Hyjit në jetën dhe në jetën e krishterë, mund ta fitojë një thirrje tjetër – thirrje në jetën e kushtuar ose në jetën martësore. Këtu njeriu e realizon plotësisht përgjigjen e tij ndaj dashurisë krijuese së Hyjit, e cila e thirri në ekzistencë.

Feja

Katekizmi i Kishës katolike na mëson se feja është virtyt hyjnor, i cili qëndron në çdo njeri që nuk i kundërshton, do të thotë në atë që nuk mëkatoi kundër saj. Është një dhuratë e dhënë falas njeriut prej Hyjit. Pa tjetër, shembujtë i gjejmë në Shkrimin Shenjt me shumicë, marrim veç kapitullin e 11-të të Letrës së drejtuar Hebrenjve, ku duke filluar që nga Abeli, autori i Letrës lavdëron fenë e personazhëve të ndryshme të Biblës. Ai person që mund të jetë modeli i çdo thirrje, është Abrahami, i cili e gëzon titullin “Ati i fesë” tamam për faktin se “i besoi Hyjit dhe kjo iu njeh për drejtësi” (Rom 4,3). Pra, të besosh Hyjit është drejtësia më e parë që njeriu mund ta ketë. T’i besohesh, t’i dorëzohesh Hyjit është ai virtyt, të cilin Katekizmi e quan feja. Jo një gjë e palëvizshme, por një gjë që zhvillohet, rritet dhe përsoset me anë të veprave që rrjedhin prej saj. Të thuash “besoj” duhet ta ketë një rrjedhim, një rrezultat konkret në jetën tënde, përndyshe nuk mund të quhet feja, besimi, por ngel si një gjë e pavlerë: “Feja, në qoftë se nuk i ka veprat, është e vdekur në vetvete,” na mëson sh. Jakobi (Jak 2,17). Këto vepra të fesë realizohen edhe atëherë, e ndoshta sidomos atëherë, kur nuk kuptojmë pse Hyji kërkon diçka prej nesh, kur vepra që Hyji na fton të bëjmë na tejkalon, kur njerëzisht është e pamundur. Kujtoni prapë Abrahamin, kur nën ndikimin e fesë bëhet i disponueshëm për ta flijuar birin e vet Izakun. Ose kujtoni atë, në të cilën feja ia arrit përsosurisë së vet – Virgjërën Mari.

Bashkësia

Jo pa qëllim Kisha na fton ta shikojmë në Abrahamin Atin e fesë. Është për faktin, se prej tij merr fillimin “bashkësia e parë” e fesë – populli i Izraelit. Ky popull, në historinë e tij, rritet dhe piqet fal mirësisë së Hyjit, i cili ia dhuron jo vetëm ligjin, por edhe aftësinë për ta zbatuar. Kështu populli i Izraelit në një farë mënyre bëhet shembulli i çdo bashkësie.

Në kuptimin e vet të fjalës populli i Izraelit është paralajmërimi i popullit të krishterë – i Kishës. Vërtetë jemi populli i ri i Zotit, të cilin Krishti ia fitoi Atit me gjakun e vet (krh. Zb 5,9-10). Kisha na e kujton këtë mister në lutjen e vet: “kemi për nder të quhemi fis i zgjedhur, priftëri mbretërore, komb i shenjt, popull i fitorës sate” (Prefacioni I e të dielave “gjatë vitit”). Pra, prej hirit të Hyjit jemi njerëz, të krishterë, të thirrur, të kushtuar.

Veti më e rëndësishme të popullit të Izraelit dhe të Kishës është zgjedhja e Hyjit; pra fakti, se është e një prejardhje hyjnore, jo njerëzore. Kjo është gjëja e dytë, të cilën duhet ta kemi gjithmonë para sysh, kur flasim për Kishën, edhe kur do të flasim për jetën në Kishë si në bashkësi.

Me një fjalë: Dashuria e Hyjit, e cila krijon për të jetuar në bashkësi.

Marrëdhenie

Prej asaj që kemi thënë, e para marrëdhenie, ajo më e rendësishme, është marrëdhenie mes thirrjes së Hyjit dhe përgjigjes së njeriut. Kjo marrëdhenje quhet feja. Feja si marrëdhënie mes dy personave, mes Hyjit dhe njeriut, pra marrëdhenie personale, e cila lind, rritet dhe përsoset në bashkësi të popullit të ri të Hyjit – në bashkësi të Kishës.

Papa Françesku thotë:

“Sigurisht, feja është një akt personal: ‘unë besoj’, unë personalisht përgjigjem Hyjit i cili bëhet i njohur dhe dëshiron të hyjë në miqësi me mua. Por unë fenë e pranoj prej të tjerëve, në një familje, në një bashkësi që më mëson të them ‘unë besoj’, ‘ne besojmë’. Një i krishterë nuk është një ishull! Ne nuk bëhemi të krishterë në një laborator, ne nuk bëhemi të krishterë prej vetvetës dhe me forcat tona, por feja është një dhuratë, është një dhuratë e Hyjit që na jepet në Kishë dhe nëpërmjet Kishës. Dhe Kisha na dhuron jetën e fesë në Pagëzim: ai është momenti në të cilin na bën të lindim si bijtë e Hyjit, momenti në të cilin na dhuron jetën e Hyjit, na lind si nënë” (Katekeza e dhënë me 11.IX.2013).

Besoj, se në këto fjalë i gjejmë të gjitha marrëdheniet për të cilat dëshirojmë të flasim: marrëdhenia mes thirrjes së Hyjit dhe fesë personale; marrëdhenia mes fesë personale dhe bashkësisë, ose mes fesë personale dhe fesë së bashkësisë; dhe në fund marrëdhenia mes thirrjes së Hyjit dhe bashkësisë.

Mendoj, se të parën marrëdhenie – mes thirrjes së Hyjit dhe fesë personale si përgjigje të njeriut e kemi pak a shumë të qartë. Ajo që na intereson sot më shumë është pikërisht realizimi i kësaj përgjigjeje në bashkësi; dhe jo vetëm në bashkësi të Kishës, por, e ndoshta sidomos, në një bashkësi rregulltare. Gjë, për të cilën përgatiteni dhe të cilën, dhashtë Zoti, do ta jetoni në kalimin e gjithë jetës suaj.

Themeli i fortë...

Nëse dhurata e parë e Hyjit është jeta, nëse thirrja e parë e tij është në të qenurin, duhet të jetë e vërtetë, se është tamam ajo, që është themeli i marrëdhenieve njerëzore. E vërtetë, që te krijimi i njeriut e gjejmë reflektimin e Hyjit mbi njeriun e krijuar sipas imazhit të tij: “Nuk është mirë që njeriu të jetë vetëm” (Zan 2,18). Njeriu është i thirrur, që nga zanafilla e ekzistencës së tij, në jetën në bashkësi.

Duke e ruajtur shkallën e thirrjeve të Hyjit (në jetë – në fe – në përkushtim) zbulojmë rëndësinë e marrëdhënieve njerëzore e logjikisht edhe e vlerave njerëzore, akoma pa të folurën për qëllime të larta të fesë.

Që një bashkësi, një komunitet të punojë mirë, ky themel njerëzor nuk mund të mungojë. Do të ishtë e kotë të mundohemi të bëhemi shenjtër pa vlera njerëzore. Një “i shenjt” i tillë krijon rreth vetës shumicën e martirëve. Imagjinoni një prift, një murgeshë, një motër pa vlera njerëzore – pa sinçeritetin, pa nderin, pa përgjegjësinë... Do të ishte tmerr i mishëruar! Me të vërtetë, gjëja e parë e domosdoshme në çdo komunitet është pjekuria në vlera njerëzore. Si na thotë edhe sh. Augustini: “Hiri kërkon naturën.” Që do të thotë, se për të fituar hirin, njeriu para duhet të piqet në vlera “naturale” – thjesht njerëzore – si bazament i ndërtesës së jetës.

Më pëlqen të bashkëndaj me ju jetën e bletëve. A e dini, sa janë në një shtëpi, në një familje? Nëse është familje e fortë, edhe mbi 80.000! E nuk ngatrrohen! Interesante. E mahnitshme. Nuk ngatrrohen. Sepse secila bën gjithçka, e njëkohësisht vetëm atë, që i përket. Njëra i ushqen larvat, tjetra e ruan shtëpinë si rojë, e treta sjell ujin, e katërta mblidh nektarin, akoma një tjetër e sposton brenda kornizave... Jeta e bletës është më të vërtetë e mahnitshme! Është interesante, se një bletë i ndrron të gjitha këto “shërbime” gjatë jetës suaj e pastaj... pas afërsisht 4 javë vdes për shkakun e rraskapitjes. Ose vdes për mbrojtjen e shtëpisë: nuk kursen jetën e vet duke e mbrojtur jetën e bashkësisë. Jo këto pak radhë, por krejt ushtrime shpirtërore mund të përgatiten duke folur vetëm për jetën e bletëve...

Kthehemi tek ne. Pra, themeli njerëzor, pjekuria në vlera njerëzore. Kur e kemi këtë, mund të sodisim më lartë. Kur jetojmë në të vërtetën, në sinçeritetin, pa thashatheme, me nder e respekt ndaj të gjithëve, sidomos ndaj atyre që i kemi pranë, mund të fillojmë ta ndërtojmë bashkësinë. Përkundrazi nuk e krijojmë, nuk e ndërtojmë, por e prishim:

“Falni, duroni njëra-tjetrën, sepse jeta e bashkësisë nuk është e lehtë. Djalli shfrytëzon gjithçka për të ndarë! Thotë: ‘Unë nuk dua të flas keq, por...’, dhe fillon ndarja. Jo, kjo nuk shkon, sepse nuk ka rrugëdalje: veç ndarje. Kujdeseni për miqësinë ndër jush, për jetën e familjes, për dashurinë mesh jush. Që manastiri mos të jetë Purgator, që të jetë një familje. Problemet janë, do të jenë, por, si bëhet në një familje, me dashuri, rrugëdalje duhet të kërkohet me dashuri; mos e shkatërroni këtë [motër] për ta zgjedhur këtë [problem]; mos bëni garë. Kujdeseni për jetën e bashkësisë, sepse kur në një bashkësi është kështu, si në një familje, është pikërisht Shpirti Shenjt që është në qendër të bashkësisë” (Discorso alle monache di clausura, Assisi, 4.X.2013).

Nuk duhet të përsërisim, se një jetë e tillë nuk është e lehtë. Është e thjeshtë, por jo e lehtë. Vërtetë kemi nevojë për Shpirtin Shenjt, kemi nevojë për një arsye të fortë, e cila na jep përgjigjen për pyetjen “Pse?”

...mbi të cilin ndërtohet deri në qiell

Shën Pali në disa vende të Shkrimit Shenjt na dhuron imazhe të Kishës – si ara dhe ndërtesa e Hyjit (krh. 1Kor 3,9), si nusja e Krishtit (krh. Ef 5,25-27), si trupi i Krishtit, të cilit ne jemi gjymtyrë (krh. 1Kor 12,27).

Dua të ndalem te imazhi i fundit: Kisha si trupi i Krishtit. Kur trupi e gëzon shëndet të mirë, gjymtyre të trupit i binden kokës. Nëse ndonjë gjymtyrë nuk e bind kokën, diçka nuk është në rregull. Sëmundjet janë nga më të ndryshme: Truri nuk punon si duhet, ose gjymtyrë është e paaftë, tepër e dobët, e plagosur, e sëmurë, ose nuk është në rregull sistemi nervor, është e prishur lidhje mes trurit dhe gjymtyrëve. Mjeku është ai që mundohet ta gjëjë shkakun e sëmundjes e ta caktojë diagnozën e drejtë. Por, pasi e gjeti, varet nga pacienti a do ta pranojë a jo. Në fushën e mjekësisë është fakti i njohur, se kur pacienti nuk e pranon diagnozën, nuk pranon as mjekimin. Kjo, duke folur për Kishën, do të thotë, se ne, si gjymtyrët e trupit të Krishtit jemi të ftuar të bëjmë atë që na porosit Krye e trupit – Jezusi. Dhe nëse jemi gjymtyrët e shëndoshtë, edhe e bëjmë.

Tani mund ta lëmë anash krejt trupin e Krishtit – Kishën, dhe e zvogëlojmë horizontin tonë në masën e kongregatës, të cilën e keni zgjedhur.

Gjë e parë që të gjithë e gjithmonë kemi për detyrë është të jemi të vetëdijshëm në çdo moment të dimë të përgjigjemi për pyetje: “Kush jam?” Të dish kush je dhe kush je për Zotin, të ndihmon t’i bësh ato veprime që kërkohen prej teje, sidomos të jesh gjithmonë e bashkuar me Krishtin. Kjo lidhje është e dyfishtë: nga një anë është e drejtpërdrejtë, do të thotë ti dhe Zoti, nga ana tjetër lind dhe ushqehet si edhe feja jote – nga bashkësia. Pa ekzagjërim mund të themi, duke pohuar fjalët e Papës, se nuk është e mundur t’i përkasim Zotit, nëse nuk jetojmë në përputhje me bashkësi në të gjithë pjesëtarë të saja. Me një fjalë tjetër: nuk është e mundur ta duam Zotin, nëse nuk e duam secilin dhe çdo njeri me dashurinë hyjnore. Këtë na e thotë edhe sh. Gjoni në Letrën e tij të parë:

“Nëse ndokush thotë: ‘E dua Hyjin’, e këndej e urren vëllanë e vet, është rrenacak. Sepse kush nuk e do vëllanë e vet që e sheh, Hyjin që nuk e sheh, s’mund ta dojë” (1Gjn 4,20).

Kjo konkretisht do të thothë pikërisht atë që na ofron Papa Françesku në Ençiklikën Lumen Fidei:

“Feja nuk është këmbëngulse, por rritet në bashkjetesë që e respekton tjetrin. Një besimtar nuk është arrogant; përkundrazi, e vërteta e bën të përvuajtur, duke ditur se më shumë sa ne e zotërojmë atë {kupto: të vërtetën}, është ajo që na përqafon dhe na zotëron. Duke u larguar prej acarimit, siguria e fesë na vendos në udhëtim dhe mundëson dëshminë dhe dialogun me të gjithë” (Lumen fidei n. 34).

Sjellje e tillë, nëse jemi të sinqertë, nuk është e lehtë, sepse njeriu, unë dhe ti, duhet të vetmohohet, duhet ta kërkojë, sipas porosisë së Apostullit, t’i durojë të tjerët me dashuri vëllazërore duke mos kërkuar interesin e vet, por interese të Jezu Krishtit dhe të vëllezërve (krh. 1Kor 10,24; Flp 2,4.21). Për këtë duhet pa tjetër feja, sepse një sjellje si kjo nuk frymëzohet nga natyra njerëzore e plagosur nga mëkati, por frymëzohet vetëm nga shëmbulli i Krishtit dhe nga dëshira për t’u bërë si është Ai.

Këtu zbulojmë, se me të vërtetë jemi gjymtyrët e gjalla të trupit të Krishtit. Për më tepër... Kur themi “Trupi i Krishtit”, mendimi ynë i parë, besoj, nuk shkon te Kisha. Shkon te një sakrament tjetër – te Eukaristia. Te Buka dhe Vera të shuguruara. Mendoni, veç, si buka bëhet bukë, si vera bëhet verë. Sa kokrra gruri, sa vile rrushi duhet të bluhen, të shtypen. Duhet “ta humbasin jetën” për t’u bërë një bukë, një verë. Nëse duam të jemi bashkësia eukaristike, bashkësia sipas shembullit të Krishtit, nuk ka një rrugëdalje tjetër, përveç humbjes së vetvetës për Jezusin dhe vëllezërit. Kujdes, kjo nuk do të thotë ta flakesh identitetin tënd personale. Përkundrazi – do të thotë ta zbulosh tërësisht bukurinë e saj, ta pastrosh dhe ta përsosësh.

Si bëhemi Kishë, ose po deshët, bashkësi rregultare, prapë na e ka shpjeguar Papa Françesku:

“Bashkimi ynë nuk është para së gjithash fryti i marveshjes sonë, ose i demokracisë brenda Kishës, ose i përpjekjes sonë për t’u rënë dakord, por vjen prej Tij që e krijon bashkimin në ndryshmëri, sepse Shpirti Shenjt është harmoni, gjithmonë e krijon harmoni në Kishë. Është një bashkim harmonik në ndryshmëri të madhe të kulturave, të gjuhëve dhe të mendimëve” (Katekeza e dhënë me 25.IX.2013).

Të jemi të ndryshëm është një pasuri, kur kuptojmë, se çdo njeri që e kemi pranë është një dhuratë e Hyjit. Edhe ai, ajo, që ndoshta nuk më është simpatik, që ndoshta më acaron, që ndoshta nuk më pëlqen. Është dikush, të cilin Hyji e do barabartë si mua. Pra, edhe unë duhet ta dua për një arsye të thjeshtë: dashuria nuk është një ndjenjë që sot e kam dhe nesër zhduket pse e mori era. Dashuria është një zgjedhje e lirë, një vendim i mendjes, një caktim i vullnetit. Dua, sepse kam vendosur për të dashur. Si këndon Alban Skenderaj: “Dua të dua.” Ja, edhe një herë Papa që na shtjellon që është bashkimi i Kishës:

“Bashkimi i Kishës nuk është uniformiteti, por bashkësi në dashuri dhe në dëshmi të Krishtit të Kryqëzuar dhe të Ngjallur; do të thotë ta gjesh pasurinë në ndryshmëritë dhe në llojshmëritë; do të thotë ta ndiesh Krishtin si “gurin e vetëm të këndit”, Ungjillin si kriter për ecjen dhe lutjen si bukën e jetës së përditshme; do të thotë të jetosh dashurinë vëllazërore, mëshirën dhe pendimin e zemrës” (Katekeza e dhënë me 25.IX.2013).

Kështu rritet feja, kështu shenjtërohet shpirti i njeriut e, logjikisht, edhe bashkësia; sepse bashkësia nuk është një gjë abstrakte, një gjë e paprekshme. Është pjesa e jetës sate, madje, është pjesa e të qenurit tënd. Je ti që nëpërmjet saj e merr hirin e Hyjit dhe me menyrën e jetës sate e bashkkrijon në të mirën dhe në të keqën. Kjo do të thotë, se ke përgjegjësinë tepër të madhe për gjendjen e bashkësisë në të cilën jeton; pavarësisht nga fakti a është një komunitet i vogël, apo Kongregata ose Kisha.

Dashuria jote me të cilën mundohesh të jetosh pastërtinë, dëgjesën, varfërinë dhe të gjitha virtyte të tjera ndikon në shenjtërinë tënde dhe si rrjedhim në shenjtërim të bashkësisë...

Next
Comments
sign-in-to-add-comment
Je to úžasný blog. Preložila som si ho, a hneď na začiatku som usúdila, že j´všetko je tu dôležité aj pre mladých, aj pre mňa. Opakovanie je matkou múdrosti!
"Je to Božie povolanie , ktorá sa nachádza na začiatku každého ľudského života . Verím , že teraz už viete , že prvé volanie Boha k človeku je výzva k životu , keď Boh nás povolal do bytia , sme povolaní , aby sme prežili . Úžasné , naozaj úžasné , keď Boh skrze lásku rodičov hovorí , aby sme boli . "
Posted on 10/25/13 8:24 AM.
tak ten google translator nie je až taký mizerný emoticon celkom sa triafa. každopádne, Anka, kolbúk dolu - za trpezlivosť a mladé srdce
Posted on 10/27/13 9:49 PM in reply to Anna Václavová.