blog - shqip

« Back

Çka më duhet të bëj?

Çka më duhet të bëj?

Ose edhe: "Çka do të më marrësh ende?"

 

Djaloshi nga ungjilli është simpatik. Një i ri që kërkon jetën e pasosur, që i ka zbatuar urdhërimet që prej rinisë së tij. Një që, ndoshta, nuk ka cenuar kurrë Ligjin e Zotit. I përsosuri. Dhe, për sa duket, dëshiron të shkojë përpara. Nëse jo, nuk do të ishte lëshuar vrap te Jezusi.

Dhe Zoti me të vërtetë e fton përtej. E fton te një radikalizëm i jashtzakonshëm, tek një diçka që nuk i ka alternativa. Qëndron para sfidës: ose – ose. Shikimi i Krishtit është i ëmbël, plot me dashuri. Duhet të jetë i tillë, sepse vetëm njeriu i dashur mund të bëjë një hap tek i cili Krishti fton. “Shko, shit çka ke, ndaju skamnorëve... atëherë kthehu e eja pas meje!” (Mk 10,21). Një kërkesë jashtë mase e madhe.

Jezusit nuk i mjafton zbatimi i urdhërimeve. Kush e di. Djaloshi ndoshta kishte pritur që Jezusi do t’i thoshte: “Shumë mirë, duke i zbatuar urdhërimet, e ke bërë gjithçka, je në rregull, nuk ke nevojë të bësh diçka më shumë.” Jo jo. Para Zotit nuk jemi kurrë “në rregull”. Nëse jemi të sinqertë para vetës dhe para Zotit, gjithmonë gjejmë diçka që mund dhe duhet të përmirësohet. “Çka duhet të bëj?” është një pyetje shumë e mirë dhe e domosdoshme. Nëse e bën, duhet të jesh i gatshëm për ta pranuar përgjigjjen e Jezusit.

I riu aktivizohet, kërkon, ëndërron, pyet... Por tragjedia e tij është se nuk e pranon përgjigjjen e Zotit. Sa herë ke pyetur, ke kërkuar, ke lypur...? Dhe kur Zoti foli, befas kishe frikë, sepse të dukej, se prapë të merr gjithçka pate.

Thashë se shikimi i Zotit është i ëmbël, sepse është plot me dashuri. Dhe dashuria kurrë nuk grabit. Kurrë. Nëse i riu do të kishte kuptuar këtë, nëse në atë dhimbje të humbjes nuk do të iktee, por do të kishte pritur për të dëgjuar atë që Zoti do të thoshte Pjetrit, nuk do të kishte humbur fare. Madje, do të kishte fituar më shumë se sa pati, do të kishte fituar një qind herë aq. Prona të shumta nuk janë problem. Por mund të bëhen problem kur i çmon më shumë sa Hyjin. Jo me fjalë ose me gojë. Konkretisht. Si djaloshi. Edhe ai ishte plot me ideale të jetës së pasosur por para sfidës konkrete të Krishtit u prish dhe u largua i trishtuar.

Djaloshi është një shenjë. Derisa nuk pranon, se gjithçka ke dhe je, ke dhe je nga Zoti, derisa nuk kupton, si thotë papa Benedikti XVI., se Krishti nuk merr asgjë dhe dhuron gjithçka, jeta jote do të jetë vetëm një ikje e trishtuar, një largim i dëshpëruar. Nëse përgjigjja e Zotit të trishton, nëse të bën të ikësh i pikëlluar ose i dëshpëruar, ajo që duhet të ndryshohet nuk është fjala e Zotit, por gendja e zemrës sate...

Pyetja “Çka duhet të bëjë?” nuk është e keqe. Është shumë e mirë. Dhe pikërisht prej kësaj rrjedh një pyetje tjetër: “A je i lirë për të vepruar atë, që të duhet të bësh?” Këtu qëndron misteri i lumturisë: të jesh i lirë edhe për të braktisur diçka (ose edhe gjithçka) për Jezusin, sepse tani e di se shikimi i tij është i ëmbël, se Ai, Dashuria e pamasë, të sodit ëmbëlsisht duke të ftuar ta tregosh seriozitetin e pyetjes sate “Çka duhet të bëjë?” me një gjest konkret. Nëse e do Krishtin, atë, që braktis, nuk e sodit si një humbje, por si një çlirim. Edhe nëse kjo nuk do të thotë, se do të jetë pa dhimbje.

Nuk është patjetër se je i lirë. I lirë bëhesh, sepse liria për Zotin është fryti i urtisë. I asaj urtie më të bukur që është të duash Hyjin.